Lajme

Fjala në Kuvend e deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshi

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Kolegë deputetë,

Dua ta nis diskutimin tim me një cështje që e trajtoi Ministri Veliaj e që është bërë tepër sensitive sidomos ditët e fundit, atë të pagesave për personat me aftësi të kufizuar (PAK).

Z. Ministër, Ju nuk po e zgjidhni situatën me Personat me Aftësi të Kufizuar, ose keni gjetur zgjidhjen më të komode për ju por më të keqe për shtresën më vulnerabël të shoqërisë e cila nuk do mundet që të gëzojë festat e fund vitit si gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë.

Në 8 vjet qeverisje, Berisha jo vetëm nuk la kurrë pagesa pa bërë për PAK por rriti edhe përfitimet për këto shtresa sipas standarteve të Bankës Botërore (energjinë, telefoni, kujdestarët, arsimin etj).

Por, si Ministër i ri që jeni, dhe nëse s’e kam gabim, si për herë të parë edhe në administratën publike, nuk e dini që Qeveria e ka buxhetin një instrument për ta orientuar kundrejt prioriteteve ekonomike apo sociale. Ne e përdornim këtë instrument minimumi dy herë në vit: në fillim të vitit kur bëhej planifikimi vjetor dhe në vjeshtë kur bëhej bilanci dhe shiheshin ku ishin nevojat më të mëdha në mënyrë që të orientonim buxhetin kundrejt tyre.

Qeveria juaj e bëri riprogramimin e buxhetit 2013 me aktin normativ. Ju z. Ministër e kishit rastin të ngrinit zërin e të alokolin fonde mjaftueshëm për ti bërë pagesat për PAK deri në fillim të vitit 2014. Por, Ju vetëm për këtë gjë nuk folët. Ose i harruat PAK ose nuk ju interesonte të flisnit për ta.

Pyetja ime për ju z. Ministër është: edhe sa kohë ju do fshihni inkopetencën tuaj duke reaguar si opozitarë duke fajësuar opozitën e sotme për të gjitha që ju s’po dini t’i bëni dot??

Dhe pyetja e dytë e që lidhet me cështjen e integrimit që ne po diskutojmë sot është: cfarë vendi zë në strukturën e re të Ministrisë suaj Departamenti për cështjet e Barazisë gjinore?? Ku shkuan rekomandimet dhe fondet e shumë donatorëve që kanë asistuar këtë departament për kaq vite?? Cështja e barazisë gjinore është shumë e rëndësishme për ecurinë e vendit në Bashkimin Europian dhe ma do mendja që në shenjë solidariteti për këtë cështje ju ende mbani simbolin pink në xhaketën tuaj.

 


Të nderuar kolegë,

94 % shqiptarëve janë pro integrimit të Shqipërisë në BE, shifër kjo impresionuese dhe më e larta ndër vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë integrimin në BE. Mbështur edhe nga ky perceptim pozitiv nga shumica dërmuese e popullsisë, Berisha e përcaktoi integrimin si prioritet të prioriteve.

Në fakt duket si një destin politik, që ndërsa Shqipëria rrëzoi regjimin më dikatorial me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, pasardhësit e familjeve të ish bllokmenëve, trashgimtarë edhe në politikën e majtë, u përpoqën të bllokonin për rreth dy dekada anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Është kjo arësyeja që rekomandimi për marrjen e statusit të vendit kandidat për vend anëtar të BE është jo thjesht një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit europian por është një ngjarje madhore për Shqipërinë dhe shqiptarët. Më shumë se kaq, ky propozim është tregues se jo vetëm ne e duam Europen, por edhe Europa na do ne; që jo vetëm ne e shohim veten si pjesë te Europes, por edhe Europa na sheh ne si pjesë të saj. Ky rekomandim është një vlerësim për të gjithë popullin tonë, për përpjekjet, sakrificat, por edhe arritjet tona si shoqëri për konsolidimin e lirisë, demokracisë, ekonomsë së tregut dhe shtetit ligjor, për të ndërtuar këtu atë pjesë të Europës që mungonte.

Pa dyshim që për këtë arritje, kontribut ka dhënë pothuajse të gjithë dhe ky moment duhet të jetë një moment legjtim kënaqësie për politikanët shqiptarë. Por më së shumti është arritje e qeverisjes së Partisë Demokratike e për këtë arsye, unë si cdo demokrat, ndjehem sot krenare për gjithshka ne kemi bërë për vendin tonë.

Opinioni dhe rekomandimi i Komisionit dhe Parlamentit Europian është vlerësuesi objektiv i punës së qeverive Berisha që dëshmon se ndryshe nga c’thonë qeveritarët e sotëm, qeverisja e Partisë Demokratike ka qenë e suksesshme në ndërmarrjen e dhjetëra reformave dhe plotësimin e qindra rekomandimeve të kërkuara nga BE-ja.

-      Ky vlerësim objektiv tregon se ndryshe nga c’thotë qeveria e sotme, ne kemi arritur tre suksese historike për shqiptarët: anëtarësimin në NATO, lëvizjen e lirë në mbarë Europën dhe rekomandimin e Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat;

-      Ky vlerësim pozitiv dëshmon se ndryshe nga c’thotë qeveria e sotme, ne bëmë të mundur që një ndër ekonomitë më të falimentuara dhe izoluara dikur ta shndërrojmë në një nga qëndrestaret e vetme në rajon dhe më gjerë edhe në kohën e krizës më të rëndë globale;

-      Ky vleresim pozitiv tregon se ndryshe nga c’thote qeveria e sotme, ne organizuam disa zgjedhje të lira e demokratike të cilat përmbushën standardet e OSBE-se;

-      Ky vlerësim objektiv tregon se ndryshe nga c’thotë qeveria e sotme, ne ndërtuam infrastrukturë moderne e me standarte, ndërtuam një sistem arsimor modern, zbritëm në njëshifrore vdekshmërinë foshnjore dhe ulëm ndjeshëm vdekshmërinë amëtare, rritëm cilësinë e shërbimit shëndetësor si dhe ndërmorrëm politika më lehtësuese sociale.

-      Ky vleresim pozitiv tregon se ndryshe nga c’thonë qeveritarët e sotëm, ne rritëm sigurinë në vend dhe i shpallëm luftë pa kompromnis krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pra, me këtë rast dua të falenderoj të gjitha ato institucione shtetërore për punën e bërë, shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare, të gjithë partnerët tanë që na mbështetën në rrugën tonë për t’i dhënë Shqipërisë pamjen europiane, pasi për të qenë pjesë e Europës nuk mjafton të jesh pjesë e gjeografisë së saj, por duhen plotësuar reforma të mëdha, në respektimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve dhe të një mirëqenie dhe prosperiteti në rritje.

Bojkotet, bllokimet, mosvotimet, grevat e urisë të opozitës së atëhershme vecse e ngadalësuan po nuk mundën të ndalin sukseset e shqiptarëve në rrugën e integrimit europian.

Sot, Shqipëria ndodhet në momentin historik të saj. Në këtë shekull të dytë shqiptar, ne jemi shumë afër Evropës, por duket se shumica qeverisëse është në gjumë zyrtar.

Të gjithë mbajtën frymën, kur Kryeministri me Progres Raportin në dorë ku qartësisht rekomandohej statusi i vendit kandidat, lëshoi një deklaratë pak a shumë në formatin e asaj që dëgjuat për armët kimike: Rama tha se Shqipëria do të integrohet pas 10 vjetesh! Jam e sigurt trupa qeverisëse, reagimin për cështjet e integrimit e ka një refleks të kushtëzuar që nga opozita por edhe nga prejardhja gjenetike.

Të nderuar bashkëqytetarë !

Institucionet europiane e certefikuan progresin e reformave të ndërmarra nga mazhoranca e djathtë, e drejtuar nga Sali Berisha dhe rekomanduan për të dytin vit radhazi statusin e vendit kandidat.

Por cfarë ndodhi në Tiranë, pak ditë pas deklaratës frymëzuese për të ardhmen e Shqipërisë në Evropë ?

-      Ndërsa Komisioni Europian kushtëzoi marrjen e statusit në dhjetor me refromën në administratën publike, qeveria nisi pëndjekjet politike të administratës shqiptare. Në një vrap të kamufluar solli në Kuvend aktin normativ për nëpunësin civil, duke ligjëruar shkarkimet për motive politike në administratë. Mbi 2500 vetë të larguar padrejtësisht nga puna, dhe lista e të larguarve shtohet cdo ditë;

-      Komisioni Europian në progres raportin për Shqipërinë, të publikuar në tetor, parashtroi si kusht për marrjen e statusit, luftën kundër krimit të organizuar. Por vetëm tre netë më parë nga burgu i sigurisë së lartë, u arratisën 7 të dënuar me burgim të përjetshëm dhe tre janë ende në kërkim;

-      Institucionet e Brukselit kërkuan respektimin e të drejtave themelore të njeriut, ndërsa Ministri i Brendshëm, drejtoi operacione skandaloze për shembjen e shtëpive të qytetarëve shqiptarë dhe po arreston cdo ditë qytetarë jo se ata thyejnë ligjet, përkundrazi sepse ata kërkojnë që ato të zbatohen ose sepse guxojnë të ngrenë zërin për të protestuar për të drejtat e tyre. Sot qytetarët shqiptarë janë më të frikësuar e më të pasigurt se kurrë jo vetëm nga bandat por më së shumti nga shteti, shteti policor që ju po ndërtoni më shpejtësi marramendëse;

-      Komisioni Europian rekomandoi për Shqipërinë, statusin e vendit kandidat, ndërsa qeveria harron të marrë në mbrojtje shtresat më vulnerabël të shoqërisë;

-      Komisioni Europian rekomandoi për Shqipërinë, statusin e vendit kandidat, ndërsa maxhoranca e dalë nga trafiku i votave, ende nuk ka sjellë në Parlament një axhendë pune, që angazhon Tiranën zyrtare për plotësimin e 5 rekomandimeve të BE-së, dhënë në Progres Raport. (1 - Reformë të depolitizuar në administratën publike; 2 - Forcim të Pavarësisë së Institucioneve dhe Reforma në Drejtësi; 3 - Përpjekje domethënëse në luftën kundër korrupsionit; 4 - Luftë kundër krimit të organizuar; 5 - Masa efektive për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, respektimin e të drejtat e popullësisë rome dhe zbatimin e të drejtës së pronës.)

Partia Demokratike përmes inicimit të kësaj rezolute në Parlament, tërheq vëmendjen për të riafirmuar qëndrimet e politikës dhe qeverisë në Tiranë se integrimi në Bashkimin Europian, është axhenda kombëtare dhe qëllimi strategjik i Shqipërisë, si një vend që synon arritjen e një demokracie të zhvilluar, respektimin e shtetit të së drejtës, garantimin dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe minoriteteve, që përbëjnë edhe vlerat kryesore mbi të cilat është themeluar Bashkimi Europian.

Ka ardhur koha që qeveria e sotme të marrë përgjegjësitë që i takojne dhe jo të harxhojë kohen duke nxirë sukseset e qeverisë së mëparshme. Ne suksesuam sepse patëm kurajon të pranojmë përgjegjësinë, dhe vullnetin të punojmë për këto pergjegjësi dhe nuk menduam kurre që të gjejmë justifikime tek e shkuara apo tek përbaltja e kundërshtarit. Madje edhe kur opozita e djeshme u përpoq me cdo kusht që ta ndalte procesin e integrimit për qëllime të ngushta dhe aftshkurtra politike, ne gjetëm përsëri forcën dhe morrëm përgjegjësinë për ti kapërcyer edhe ato.

Ne na ra barra më e madhe në rrugën e integrimit ajo e ndërmarrjes së reformave të thella dhe të vështira dhe ne i përmbushëm përgjegjësite tona para qytetarëve shqiptarë. Pjesa qe ju takon ju eshte shume me e thjeshte. Ndaj mos u justifikoni, tani duhet Ju ti përvisheni punës pasi cdo vonesë, cdo lëkundje në procesin e integrimit do të jetë vetëm përgjegjësia juaj!!

Një gjë është e qartë si drita e diellit: Shqipëria do të vrapojë për të marrë statusin e vendit kandidat.

Rama e provoi edhe pak ditë më parë qëndrimin e shqiptarëve.

Studentët e Nëntorit dëshmuan që shqiptarëtdo të vendosin vetë për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian!!

Ju faleminderit